A prishet agjërimi nëse e përkdhel bashkëshorten?
Pyetje: A prishet agjerimi nese defrehesh me bashkeshorten, (nese e puth, apo e prek, apo etj.) dhe sa eshte e lejuar kjo, deri ne cfare gjendje (momenti)?
Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Kontakti i burrit me bashkëshorten e tij, në çfarëdo mënyre, duke qenë agjërueshëm është i lejuar, përveç marrëdhënieve të drejtpërdrejta intime.
Thotë Aisheja (radijallahuanha): “Ka qenë Pejgamberi (salallahu alejhi veselem) që e puthte dhe e përkdhelte (gruan e tij) duke qenë agjërueshëm”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Gjithashtu thotë Mesruku: E kam pyetur Aishen: Çka lejohet për burrin ndaj gruas së tij duke qenë agjërueshëm? Tha: Çdo gjë, përveç marrëdhënieve intime. (Transmeton AbduRazaku, me zinxhirë të vërtetë).
Kështuqë, nuk ka ndalesë përveç marrëdhënieve intime, për burrin dhe gruan, duke qenë agjërueshëm. Ndërsa nëse përkdheljet bëhen shkak për të arritur deri në ejakulim, atëherë agjërimi i atij që ejakulon me qëllim prishet dhe këtë ditë ai nuk mund ta kompenzojë më asnjëherë dhe me këtë ai ka bërë një mëkat të madh. Andaj, muslimani nuk ka ndalesë që t’i afrohet gruas së tij duke qenë agjërueshëm, vetëmse duhet të ketë kujdes që mos të arrijë deri në ejakulim.
Ndërsa nëse pas përkdheljeve, kalon deri në marrëdhënie intime, (pa marrë parasyshë nëse ejakulon apo jo) agjërimi i tyre prishet dhe për këtë ditë, duhet agjëruar gjashtëdhjetë ditë tjera pa ndërpre.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami