A lejohet urinimi në këmbë?
Pyetje: Eselamu alejkum hoxhe i nderuar. Desha me pyt per urinimin ne kembe, cili eshte denimi i atij qe urinon ne kembe, cka eshte halli me kete njeri??
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Disa nga dijetarët e kanë ndaluar urinimin në këmbë, duke u mbështetur në hadithin të cilin e transmeton Aisheja (radijallahu anha) e cila thotë: “Kush ju thotë se Muhamedi (salallahu alejhiveselem) ka urinuar në këmbë, mos e besoni. Nuk ka urinuar, përveçse ulur”
Si dhe në hadithin të cilin e transmeton Omeri (radijallahu anhu) i cili thotë: “Më ka parë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) duke urinuar në këmbë, dhe më ka thënë: O Omer, mos urino në këmbë, e nuk kam urinuar më ashtu asnjëherë”.
Ndërsa dijetarët të cilët e kanë lejuar një vepër të tillë, kanë thënë se hadithi i Aishes tregon për atë që e ka parë ajo dhe nëse ajo nuk e parë, nuk don të thotë që nuk ka ndodhur. Ndërsa hadithi i Omerit (radijallahu anhu) është hadith i dobët.
Gjithashtu ajo që e forcon edhe më shumë këtë mendim, është hadithi i Hudhejfes (radijallahuanhu), i cili tregon se e ka parë Pejgamberin (salallahu alejhiveselem) duke urinuar në këmbë. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Kështuqë përfundimisht themi se urinimi në këmbë është i lejuar dhe nuk ka asnjë ndalesë në të, nëse plotësohen dy kushte:
1-Të sigurohet njeriu se nuk e sheh askush auretin e tij,
2-Dhe të sigurohet se nuk bijnë pikat e urinës në teshat e tij.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami