A e prishë agjërimin masturbimi?

Pyetje: A e prish agjerimin masturbimi nese ka mundsi nje sqarim te shkurt Allahu ju shperbleftë.

 Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Së pari, duhet të dihet se masturbimi është i ndaluar në Islam. Muslimani duhet të largohet prej një veprimi të tillë dhe të ketë frikë Allahun, i Cili e shikon atë në çdo gjë që ai e vepron.

Por, nëse një gjë e tillë ndodhë duke qenë agjërueshëm, atëherë sipas shumicës së dijetarëve, masturbimi e prishë agjërimin, duke u bazuar në hadithin në të cilin Muhamedi (salallahu alejhiveselem) thotë, se Allahu (azzevexhel) ka thënë për agjëruesin: “Ai largohet nga ushqimi, pirja dhe kënaqësia e epshit për shkak Timin”. Kështuqë ai që nuk largohet nga ushqimi, pirja dhe kënaqësia e epshit, ai nuk ka agjërim.

Ndërsa sipas Ibn Hazmit, agjërimi i atij që masturbon nuk prishet, ngase argumenti ekziston vetëm për atë që bën marrëdhënie intime, dhe jo për të tjerët.

Por, mendimi i shumicës së dijetarëve është më i saktë.

E nëse e prishë njeriu agjërimin në këtë mënyrë, sipas shumicës së dijetarëve, duhet ta kompenzojë atë me një ditë tjetër, ndërsa disa nga dijetarët janë të mendimit se kjo ditë më nuk mund të kompenzohet asnjëherë, ngase për obligueshmërinë e kompenzimit të saj nuk ka ndonjë argument.

Unë anoj kah mendimi i dytë dhe mendoj se ky është mendim më i saktë.

Pra, përfundimisht:
1-Masturbimi është mëkat dhe i ndaluar në Islam, andaj muslimani duhet të largohet nga ky ves i ligë dhe të ketë turp prej Allahut, qoftë në Ramazan apo jashtë tij,
2-Masturbimi e prishë agjërimin,
3-Dita e prishur e agjërimit me masturbim, nuk mund të kompenzohet asnjëherë dhe me këtë njeriu bën një mëkat të madh ndaj Allahut, për të cilin duhet të pendohet sinqerisht, duke mos iu kthyer asnjëherë atij mëkati.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...