A lejohet formimi i xhematit të dytë,aty ku ka imam të rregullt?
Pyetje: Selam.a. Hoxh i nderuar ju kisha lutur nje sqarim pak met gjeresishem ne lidhje me namazin. Pyetja: a lejohet qe ne nje xhami pasi te falet namazi (farzi) me xhemat-imam,me von te falen nje grup njerezish perseri me imam apo secili duhet falur ne vecanti.selam.a.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Formimi i xhematit të dytë në xhami, pasiqë është falur namazi me xhematin e parë, mund të jetë në disa mënyra:
-Nëse xhemati organizohen dhe caktojnë kohën e xhematit të parë, e pastaj kohën e xhematit të dytë dhe kjo bëhet në mënyrë të organizuar për çdo ditë në një xhami ku ka imam të rregullt, kjo është e ndaluar me pajtimin e gjithë dijetarëve. Ngase në këtë mënyrë shkaktohet përçarje në mesin e muslimanëve dhe ndahen rradhët e namazfalësve. Gjithashtu kështu u mundësohet njerëzve që mos të interesohen për kohën e parë të namazit, ngase nëse nuk arrin xhematin e parë, arrin të dytin, e kështu me rradhë.
-Nëse xhamia nuk ka imam të rregullt, apo është në ndonjë treg, apo në të falen kalimtarët, atëherë lejohet që që çdo herë që hyjnë njerëz të falen me xhematë dhe për këtë nuk ka kurrfarë ndalese.
-Ndërsa nëse xhamia ka imam të caktuar të rregullt dhe namazi i dytë me xhematë nuk bëhet në mënyrë të organizuar, por për shkak të vonesës së paqëllimshme formohet xhemati i dytë në xhami, atëherë për këtë ka dy mendime të dijetarëve.
Disa nga dijetarët kanë thënë: Secili që është vonuar falet i vetëm dhe nuk lejohet të formohet në atë xhami xhematë i dytë.
E disa kanë thënë: Formohet xhematë i dytë dhe e falin namazin me imam. Dhe ky është mendimi më i saktë, duke u bazuar në hadithin në të cilin Muhamedi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Namazi i një personi me një person është më i mirë se namazi i tij vetëm, dhe namazi i tij me dy persona është më i mirë se namazi i tij me një person, e sa më shumë që të jenë, aq më e dashur është tek Allahu”. Si dhe hadithi i një personi i cili erdhi me vonesë në xhami, e Muhamedi (salallahu alejiveselem) tha: Kush ngritet t’i jep sadaka këtij – të falet bashkë me të? Atëherë u ngrit një person dhe u fal bashkë me të.
Kështuqë përfundimisht themi se lejohet të formohet xhemati i dytë në atë xhami që është falur namazi me xhematë më herët, nëse kjo nuk bëhet në mënyrë të organizuar dhe të rregullt.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami