A është e vërtetë se toka (nuk) rrotullohet?
Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. Nese mundet me na dhene nje sqarim per token, a rrotullohet apo jo? Si e sqaron Kur’ani kete?
Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Sa i përket rrotullimit të tokës dhe lëvizjes së saj, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre, e sidomos në këtë kohë në të cilën është e njohur dhe e përhapur lëvizja e saj.
-Shumica e dijetarëve islam janë të mendimit se toka është e palëvizshme dhe nuk rrotullohet fare. Duke e bazuar këtë mendim në disa argumente: Thotë Allahu (azzevexhel): “Ai është që tokën e bëri të palëvizshme (stabile) e nëpër të bëri që të rrjedhin lumenj, dhe asaj (tokës) i bëri (male) përforcuese dhe në mes dy deteve bëri ndarje.” (Neml – 61) Në këtë ajet, Allahu na bën me dije se toka është stabile dhe e palëvizshme, përkundër atyre të cilët potencojnë lëvizjen e saj. Gjithashtu Allahu (azzevexhel) thotë:
“Edhe dielli udhëton për në kufirin e vet. Ai është përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit. Edhe hënës i kemi caktuar frazat, derisa të kthehet në trajtën e harkut.” (Jasin 38/39) Allahu shumë qartë në këto ajete dhe në ajete tjera përmend se dielli dhe hëna lëvizin, ndërsa në asnjë ajet në Kur’an nuk ceket se edhe toka lëvizë, dhe sikur të kishte qenë ajo e lëvizshme, pa dyshim se Allahu do ta kishte përmendur se bashku me diellin dhe hënën. Gjithashtu thotë:
“Dhe ti e shihje diellin kur lindte bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perendonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjërë të saj.” (Kehf – 17) Në këtë ajet, Allahu tregon se dielli është ai që rrotullohet rreth tokës, e jo që toka rrotullohet rreth diellit apo është e lëvizshme.
Gjithashtu dhe hadithe të Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) të cilat flasin dhe vërtetojnë lëvizjen e diellit, e që nuk përmendin fare lëvizjen e tokës. -Disa nga dijetarët islam janë të mendimit se toka rrotullohet (ashtu siç është e njohur në botë një gjë e tillë), duke u bazuar në disa argumente:
Thotë Allahu (azzevexhel): “As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata para ditës, por secili noton në orbitën e tij.” (Jasin – 40) Allahu në këtë ajet, (me fjalën “secili”) tregon se të gjitha yjet dhe planetet janë në lëvizje dhe notojnë në orbitën e tyre. Gjithashtu Allahu thotë:
“E i sheh kodrat dhe mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin sikur retë.” (Neml – 88) Allahu në këtë ajet qartë vërteton se toka është në lëvizje edhepse syri i njeriut nuk mund ta vërejë lëvizjen e saj, ndërsa lëvizja e saj është sikur lëvizja e reve.
Ndërsa në lidhje me ajetin: “Ai është që tokën e bëri të palëvizshme (stabile)..”, dijetarët e këtij mendimi thonë: Ajeti flet për tokën se është stabile dhe se ajo është e palëvizshme për njerëzit, e jo që në realitet nuk lëvizë fare. (Dhe për këtë përmendin si shembull aeroplanin apo anijen gjatë udhëtimit) Psh: Njeriu në aeroplan është në gjendje të pushojë, të hajë dhe pijë, dhe aeroplani është stabil për udhëtarët, ndërsa në realitet ai levizë me një shpejtësi të madhe.
-Dijetarët e mendimit të parë (se toka është e palëvizshme), në lidhje me ajetin në të cilin Allahu thotë: “secili noton në orbitën e tij”, thonë: Në këtë ajet është fjala për diellin dhe hënën, ashtu siç përmendet në fillim të ajetit, e jo që ëshë fjala për të gjitha yjet dhe planetet që ekzistojnë, duke futur në mesin e tyre edhe tokën.
Gjithashtu në lidhje me ajetin: “E i sheh kodrat dhe mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin sikur retë.”, thonë: Ky ajet flet për ditën që do t’i fryhet surit dhe nuk flet për ditët e kësaj bote. Dhe kjo kuptohet nga ajetet që janë para dhe pas këtij ajeti, të cilat në përgjithësi flasin për Ditën e Gjykimit. Dhe ky është mendimi i gjithë komentuesve të mëhershëm të Kur’anit. Ndërsa dijetarët të cilët bazohen në këtë ajet, si argument se toka rrotullohet thonë: Ajeti ka të bëjë me këtë botë dhe jo me botën tjetër, për shkak se:
1-Allahu në këtë ajet thotë: “dhe mendon se ato janë të palëvizshme”, ndërsa në botën tjetër gjërat janë të realta dhe nuk mendon.. por e shikon atë të vërtetë dhe reale.
2-Allahu flet për kodrat që ekzistojnë në këtë botë, ndërsa në botën tjetër nuk do të ekzistojnë kodrat. Për to thotë Allahu: “Dhe kodrat bëhen si leshi i shprishur”. (Kariah – 5)
3-Në fund të këtij ajeti Allahu thotë: “Ai është hollësisht i njohur se çka punoni”, dhe sikur të ishte fjala për Ditën e Gjykimit do të thonte: “Ai është hollësisht i njohur se çka punuat”, por fjala: “punoni”, tregon se bëhet fjalë për jetën e kësaj bote.
Dhe argumente e mospajtime në mesin e dijetarëve të kësaj kohe në lidhje me këtë çështje, për të cilat koha nuk premton përmendjen e të gjithë atyre. Thotë Shejh Ibn Uthejmini (i cili mbështet mendimin se toka është e palëvizshme): Çështja e rrotullimit apo mosrrotullimit të tokës dhe polemika rreth saj, është prej diturisë së luksit, e nuk është çështje që kërkohet prej njerëzve mësimi i saj apo që ndalet në të vërtetimi i imanit të tyre. E sikur të ishte e tillë, atëherë Allahu do ta kishte qartësuar atë në Kur’an apo Sunet.. dhe përderisa çështja është e tillë, atëherë njeriu nuk ka nevojë të lodhet shumë duke polemizuar rreth saj.. (Fetava Nurun Ala Derb – Tefsir)
Thotë Shejh Ibn Bazi (i cili mbështet mendimin se toka nuk rrotullohet): Sa i përket rrotullimit të saj, e kam mohuar atë dhe e kam qartësuar me argumente pavlerësinë e këtij mendimi, por nuk e kam shpallur kafir atë që e thotë atë (se toka rrotullohet), por e kam shpallur kafir atë që thotë se dielli është i palëvizshëm, ngase kjo thënie kundërshtohet drejtpërdrejtë me Kur’anin dhe Sunetin e vërtetë.
Thotë Shejh Nasirudin Albani (i cili mbështet mendimin se toka rrotullohet): Ne në të vërtetë nuk dyshojmë se çështja e rrotullimit të tokës, është një e vërtetë shkencore e cila nuk pranon polemikë. Në të njëjtën kohë, besojmë se nuk është obligueshmëri e Sheriatit në përgjithësi dhe e Kur’anit në veçanti, të flet për shkencën e astronomisë dhe gjërat e imëta të saj..
Kështuqë mund të themi se nuk ekziston ndonjë ajet apo hadith i cili e kundërshton këtë të vërtetë shkencore të njohur sot, apo atë e cila thotë se toka është e rrumbullakët, apo atë e cila thotë se toka rrotullohet me fuqinë e Allahut.. (Kaseta 1/497) Dhe thotë: Kjo çështje nuk është prej çështjeve që kërkohet veprim me të, apo çështje e besimit që njeriu obligohet të dijë vendimin e Sheriatit në lidhje me të.. (Kaseta 1/436)
Thotë Shejh Ebu Muhamed ElMakdisij: Nëse më pyet pastaj dikush, se a don të thotë fjala yte se toka nuk rrotullohet rreth vetes së saj apo rreth diellit, them: Unë nuk e mohoj një gjë të tillë, por unë e obligoj veten time me fjalët e Kur’anit dhe me përshkrimin e tij, e fjalët e shtuara nëse janë të kontrolluara dhe nuk e kundërshtojnë Kur’anin, nuk ka ndonjë problem për këtë. E nëse dikush thotë: Toka është planet i cili nuk lëkundet (nuk dridhet), porse rrotullohet rreth vetes apo rreth diellit, unë nuk shoh ndonjë të keqe në këtë dhe nuk e kundërshtoj atë (që është me këtë mendim). (Sual an ishkalejn /4)
Kështuqë përfundimisht themi se: Kjo çështje nuk është prej kushteve të besimit dhe njeriu nuk do të merret në pyetje për të para Allahut në Ditën e Gjykimit. Nuk do të pyetet njeriu se cili ka qenë mendimi tij për tokën, është rrotulluar apo jo? Andaj, edhe nuk duhet humbur shumë kohë për një çështje për të cilën njeriu nuk ka përgjegjësi.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami