Si t’i kompenzoj ditët që nuk i kam agjëruar para dy viteve?

Pyetje: Selam alejkum hoxh i nderuar. Pytja ime eshte keshtu: Para dy viteve me kane mbete disa dite pa agjeru per shkak se jam kane i semur, por me ka mbete ne koke pse nuk i kam kompenzu me nje here si me eshte permirsu gjendja. Si mund ti kompenzoj ato dite tani kur jan bere 1 vit e gjysme?  

Përgjigje:
Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Vëlla i dashur, të gjithë dijetarët janë të pajtimit se nëse njeriu nuk i ka agjëruar disa ditë të muajit Ramazan me arsye, duhet t’i kompenzojë ato para se të vijë Ramazani i vitit tjetër.   

Duke u bazuar në hadithin e Aishes (radijallahuanha) e cila thotë: “Kam pasur borxh disa ditë agjërim prej Ramazanit dhe nuk kam mundur t’i kompenzoj ato përveçse në muajin Sha’ban (një muaj para Ramazanit tjetër)”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)  

Thotë Imam Ibn Haxheri: Nënkuptohet nga lakmia e saj për t’i agjëruar ditët e mbetura në Sha’ban, se nuk lejohet vonimi i kompenzimit të atyre ditëve deri të hyjë Ramazani tjetër.   Kështuqë është dashur menjëherë pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, t’i kompenzoni ditët e mbetura nga muaji Ramazan.  

Por nëse vonimi i kompenzimit të këtyre ditëve është bërë me arsye, atëherë për këtë nuk ka mëkat dhe mund të bëhet kompenzimi i tyre kur të jetë mundësia. Ndërsa nëse vonimi është bërë pa ndonjë arsye, atëherë për këtë ka mëkat dhe për kompenzimin e atyre ditëve dijetarët janë ndarë në dy mendime:  

-Disa prej dijetarëve janë të mendimit se ditët e mbetura duhet të kompenzohen, duke ua shtuar atyre edhe nga një ushqim për të varfërit. Dhe ky është mendimi i Imam Malikut, Shafiut, Ahmedit dhe disa dijetarëve tjerë.  
-Ndërsa mendimi i dytë i dijetarëve është se mjafton kompenzimi i ditëve të mbetura borxh, duke mos pasur nevojë për ushqyerjen e të varfërve. Dhe ky është mendimi i imam Ebu Hanifes dhe disa dijetarëve tjerë.  

Mendimi në të cilin anojmë dhe mendojmë se është më i saktë është mendimi i imam Ebu Hanifes, pasiqë për obligueshërinë e ushqyerjes së të varfërve nuk gjejmë ndonjë argument të qartë dhe të vërtetë.  

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: E vërteta në lidhje me këtë çështje është se nuk i obligohet atij më shumë se sa agjërimi i atyre ditëve, përveçse ai ka mëkat për vonimin e kompenzimit të tyre. (Sherhul Mumti’ 6/451)  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami 

You may also like...