A lejohen adetet që përdoren në darsmat tona?
Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. Kisha nje pyetje ne lidhje me adetet qe behen mbase martohet cifti, dmth ne vendin qe jetoj une eshte tradite qe nusja mbase tri javeve qe rrin te burri te shkoj te shtepia e saj me flejt disa nete, bile mundesisht netet te jene tek, ne kete rast dikush i aferm vjen dhe e merr kurse dikush nga ana e burrit shkon dhe e bjen te burri prap, pasi qe te kalojne ato dite sa e ka lene burri me nejt. Ne qofte se ke mundesi te me tregosh ky adet a ka lidhje me bidatet ne fe, ngaqe e di une qe cdo risi te con ne humbje. Allahu te shperblefte me xhenet fridevs. Ve selam alejkum
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Adetet në esencë janë të lejuara, përveç nëse kundërshtohen me ndonjë çështje të Sheriatit të cilën Islami e ka ndaluar.
Kështuqë adetet që në to ka ndalesa të Islamit, ato duhet të largohen nga mesi i muslimanëve dhe duhet të pastrohet shoqëria islame prej tyre. Psh: Në disa vende është adet që dasma të bëhet me daulle, e në disa me muzikë, e në disa me alkool, e në disa tjera me përzierje të burrave dhe grave. E në disa vende është adet që nusja para se të del prej shtëpisë së saj, të përshëndetet duke i përqafuar të gjithë burrat me radhë të cilët prezentojnë në dasëm. E në disa vende është adet që dhëndërri duke shkuar në dhomë të nuses, të rrahet dhe t’i mëshohet atij nga të rinjtë e familjes në formë të hajgares dhe lojës me të. Apo në disa vende është adet që gjatë ceremonisë së dasmës të përgatitet bukë (kulaçi) dhe të futet në të ndonjë monedhë, e pastaj të ndahet ajo në tri pjesë (për vjehrrin, dhëndërrin dhe nusen) dhe atij që i bjen pjesa në të cilën është futur monedha, ai do të udhëheqë në atë familje, e pastaj buka e përgatitur hudhet. Të gjitha këto adete që kundërshtohen me Sheriatin Islam janë të ndaluara.
Ndërsa adetet të cilat përdoren në mesin e muslimanëve dhe nuk kundërshtohen me Islamin në ndonjë aspekt, ato janë të lejuara dhe nuk ka ndonjë pengesë për veprimin e tyre.
Andaj edhe dërgimi i nuses pas tri javëve të familja e saj dhe qëndrimi i saj disa netë të caktuara në shtëpinë e saj, nuk ka ndonjë ndalesë në lidhje me këtë, me kusht që në këtë mos të ketë ndonjë bindje të caktuar nga e cila mendohet dhe shpresohet ndonjë dobi apo mbrojtje nga ndonjë dëm.
Gjithashtu ky adet dhe adetet tjera nuk kanë të bëjnë me bidatet në fe, ngase për t’u llogaritur adeti bidat në fe, duhet që ai të besohet se ka bazë në Islam dhe të bëhet në formë adhurimi me të cilin shpresohet afrimi tek Allahu. E nëse bëhet në këtë formë, atëherë llogaritet bidat dhe nuk lejohet të veprohet.
Shejh Ibn Uthejmini, (pas pyetjes se: Disa njerëz pas aktit të martesës së tyre, u dhurojnë tesha të afërmve të familjes, e pastaj ata ua kthejnë këtyre me diç nga pasuria e tyre..) thotë: Nuk shoh ndonjë të keqe në këtë, pasiqë në të nuk përfshihet gjë e cila është haram, por këto janë vetëm adete dhe në esencë adetet janë të lejuara, përveç asaj që vërteton Sheriati se është e ndaluar. (Fetava Nurun ala Derb)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami