A lejohet martesa me një mashkull, prej të cilit je shtatzënë?

Pyetje: Salam alaikum. Doja te dija nese lejohet te martohesh me nje mashkull me te cilin ke lidhje (jo te fejuar) por qe gjate lidhjes zbulon se je shtatezane?  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Së pari: Lidhja e femrës me një mashkull të huaj është e ndaluar përderisa në mesin e tyre nuk ka kurorë sipas Sheriatit. Lexo në lidhje me këtë: A lejohet të flas me të fejuarin para se të bëj nikah?  

Dhe nëse lidhja e tyre është e ndaluar dhe mëkat, marrëdhëniet intime ndërmjet tyre janë mëkat edhe më i madh dhe ky është krim të cilin e vepron njeriu duke mos pasur frikë Allahun.  

Së dyti: Nëse mëkati është shumë i madh, nuk i takon njeriut të vonohet në pendimin e tij ndaj Allahut, por duhet që menjëherë t’i kthehet Allahut dhe të kërkojë falje për gabimin e tij, me shpresë se Allahu do t’ia falë atë.   

Lexo në lidhje me këtë: Kushtet për pranimin e pendimit.   Së treti: Për të qenë martesa e lejuar ndërmjet atyre (që kanë pasur marrëdhënie jashtmartesore dhe femra ka mbetur shtatzënë nga kjo lidhje), duhet të plotësohen dy kushte:  

1-Të pendohen të dy sinqerisht tek Allahu. Lexo në lidhje me këtë:  A e falë Allahu shirkun nëse njeriu pendohet prej tij? A e falë Allahu njeriun që ka qenë homoseksual?  

2-Të pret femra deri të lind fëmiun e saj. Thotë Komisioni i përhershëm për fetva: Nëse vërtetohet shtatzënia e saj, atëherë nuk të lejohet ty (mashkullit) kurorëzimi me të derisa të lindë ajo fëmiun e saj. (Fetava 9/72)  

Së katërti: Fëmiu i lindur nga prostitucioni (lidhja jashtëmartesore), nëse gruaja është e martuar, llogaritet fëmijë i bashkëshortit të saj.  

Ndërsa nëse gruaja nuk është e martuar, atëherë fëmiu i lindur nga kjo lidhje nuk llogaritet fëmijë i mashkullit me të cilin e ka vepruar këtë mëkat, por llogaritet vetëm fëmijë i nënës prej të cilës ka lindur. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.    

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Fëmiu i cili lindë nga prostitucioni, llogaritet fëmijë i nënës së tij dhe nuk llogaritet fëmijë e babait të tij. (Fetava Islamijeh 3/370)  

Thotë Shejh Muhamed ibn Ibrahimi: Fëmiu i krijuar nga uji i zinaqarit, nuk llogaritet fëmijë i zinaqarit. (Fetava 11/146)  

Së pesti: Fëmiu i lindur nga prostitucioni nuk ka ndonjë mëkat dhe fajësim për të dhe ai nuk ka përgjegjësi për krimin e prindërve të tij. Ngase ekzistojnë transmetime të shpifura dhe të trilluara se fëmiu i tillë nuk do të nuhasë erën e Xhenetit, por kjo nuk është e vërtetë, ngase askush para Allahut nuk bartë mëkatin dhe gabimin e dikujt tjetër, por secili do të jep llogari për veten e tij.  

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami  

You may also like...