A prishet abdesi nga rrjedhja e menstruacionit të bardhë?

Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. Jam nje moter muslimane jam ne shkolle te mesme, deshta te pyes ne lidhje me mestruacionet e bardha.. namazi i ikindise me bjen me e fale ne shkolle keshtuqe nese kam rrjedhje te mestruacioneve te bardha a mund te fali namazin pa e nderruar abdesin apo patjeter duhet ta nderroj ate? Une kam lexuar qe mundesh mu fale pa e nderru po edhe te kunderten. Nuk di ku te mbeshtetem, nese mundesh nje sqarim. Allahu te shperblefte.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Në lidhje me menstruacionet  e bardha, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ato janë të papastërta dhe se rrjedhja e tyre e prishë abdesin. Ndërsa disa prej dijetarëve janë të mendimit se ato janë të pastërta dhe rrjedhja e tyre nuk e prishë abdesin.  

Mendimi në të cilin anojmë dhe mendojmë se është më i saktë, është mendimi se menstruacionet e bardha nuk e prishin abdesin, ngase ato (menstruacionet e bardha) ekzistojnë te shumë prej grave dhe kanë ekzistuar edhe te gratë në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem), dhe sikur të ishte prej gjërave që e prishë abdesin, pa dyshim se nuk do të ngelte Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) pa e përmendur dhe pa e qartësuar atë. Por përderisa nuk ka ndonjë argument i cili urdhëron që pas rrjedhjes së tyre të merret abdes, atëherë nënkuptohet se rrjedhja  e tyre nuk e prishë abdesin. (Xhamiu Ahkami Nisa’ 1/68)  

Vetëm duhet theksuar se lëngu i cili rrjedh para marrëdhënieve intime, apo në raste të ngjashme me këtë, nuk ka të bëjë me menstruacionet e bardha, porse ky lëng quhet El-Medhju dhe është lëng i papastër i cili e prishë abdesin. Lexo në lidhje me këtë: A bëhet e papastër tesha në të cilën ka prekur sperma?  

Ndërsa menstruacionet e bardha të cilat rrjedhin në shumë kohë dhe pa ndonjë shkak, apo shtohen gjatë shtatzënisë, apo gjatë ecjes dhe lodhjes së shumtë, etj. janë të pastërta dhe nuk e prishin abdesin. Kështuqë lejohet falja e namazit me atë abdes, duke mos pasur nevojë për ndërrimin e tij. (Sahih Fikhu Suneh 1/83)  

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami  

You may also like...