Si duhet të mbahet dhe lëvizet gishti në teshehud?

Pyetje: Selam alejkum. Pyetja ime eshte keshtu: Ngritja e gishtit ne tehijate a duhet te mbahet ngritur tere kohen sa rrime ne tehijate apo vetem kur shqiptohet njesimi per Allahun xh.sh. dhe se a ka hadithe te cilat tregojne per kete qeshtje?
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i dashur, sa i përket mbajtjes dhe lëvizjes së gishtit në teshehud, dijetarët janë ndarë në disa mendime. Sipas medhhebit:
-Hanefij: Gishti ngritet kur thuhet: “La ilahe”, dhe ulet kur thuhet: “Il-lAll-llah”. -Shafi’ij: Gishti ngritet kur thuhet: “Il-lAll-llah”, dhe ulet menjëherë.
-Malikij: Gishti lëvizet në të djathtë dhe të majtë deri në fund të teshehudit. -Hanbelij: Gishti ngritet çdo herë kur për përmendet emri i Allahut.
Thotë Shejh Albani (rahimehullah): Këto përcaktime dhe mënyra nuk kanë bazë në Sunet dhe më afër të vërtetës është medhhebi Hanbelij, sikur mos ta kishte ndërlidhur lëvizjen e gishtit me përmenjen e Allahut. (Temamul Minneh/223)
Kështuqë Shejh Albani e mbron mendimin se gishti duhet të ngritet dhe lëvizet prej fillimit deri në fund të teshehudit. Duke u bazuar në hadithin në të cilin thuhet se: “Pejgamberi (salallahualejhiveselem) … e ngriti gishtin dhe e lëvizte atë duke u lutur me të”. (Transmeton Nesaiu, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë)
Ndërsa Shejh Ibn Uthejmini duke u bazuar në të njëjtin hadith, mbron mendimin se gishti ngritet dhe lëvizet vetëm në rastet që përmendet ndonjë lutje, e jo në mënyrë të vazhdueshme. Ngase në hadith thuhet: “e lëvizte atë duke u lutur me të”. (Sherhul Mumti’ 1/594) Edhepse këtë hadith, në të cilin përmendet lëvizja e gishtit, dijetarët si Shejh Mukbil El-Vadi’ij, Shuajb Arnauti dhe të tjerë, e kanë konsideruar hadith të dobët dhe nuk e kanë pranuar për argument.
Kështuqë mendimi në të cilin anojmë dhe mendojmë se është më i saktë, është: Ngritja e gishtit prej fillimit deri në fund të teshehudit dhe mbajtja e tij në atë mënyrë pa e lëvizur fare atë.
Duke u bazuar në hadithin të cilin e transmeton Abdullah ibn Zubejri (radijallahuanhu) i cili thotë: “Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) … e vëndonte dorën e majtë mbi këmbën e majtë (në teshehud) dhe dorën e djathtë mbi këmbën e djathtë, dhe bënte me shenjë me gishtin e tij”. (Transmeton Muslimi)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami