A lejohet falja e namazit në xhaminë që është blerë me kamatë?

Pyetje: Es-selamu alejkum Hoxh i nderuar. Pyetja ime eshte se a lejohet falja e namazit ne nje xhami ku eshte bler apo ndertuar me kamat dhe a lejohet me i ndihmu nje xhamijes qe eshte ble me kamat (me qellim qe te del sa ma shpejt nga ky haram i madh). Allahu ju shperbleft dhe ju ruajt.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  
Vëlla i dashur, nuk ka dyshim se kamata është e ndaluar në fenë e Allahut (azzevexhel) dhe është një prej mëkateve të mëdha, pa marrë parasyshë se për çka shfrytëzohen paratë që merren nëpërmjet saj. Dhe njeriu i cili merr kamatë për të blerë apo për të ndërtuar xhami, gjithashtu e ka mëkatin e kësaj ndalese dhe nuk atsyetohet me qëllim të mirë në këtë vepër të ndaluar. Thotë Allahu (azzevexhel): “O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtar të sinqertë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në luftë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. (Bekareh 278/279)  

Por mëkati i tij mbetet vetëm tek ai, duke mos u përfshirë edhe të tjerët në këtë mëkat,  edhe nëse ata e shfrytëzojnë vendin apo ndërtesën që ai e ka blerë me paratë e ndaluara. Kështuqë namazi në xhaminë që është blerë apo ndërtuar me kamatë është i lejuar dhe nuk ka ndonjë pengesë në faljen e namazit në atë xhami.  

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Vjen një njeri i cili punon në bankë, apo punon me gjëra që fitimi i të hollave në to është i ndaluar, e pastaj ndërton xhami apo rregullon ndonjë rrugë, e dikush pyet: A lejohet të falemi në atë xhami apo të ecim në atë rrugë që është ndërtuar me para të ndaluara? E shohim që nuk ka ndonjë ndalesë të falet njeriu në atë xhami, edhe nëse është ndërtuar me para të kamatës, apo me para që janë fituar diku tjetër në haram, sepse mëkati është mbi atë që i ka fituar në atë mënyrë.. (Sherhul Mumti’ 10/60)  

Kështuqë lejohet të falet njeriu në xhaminë e ndërtuar me kamatë, si dhe lejohet të ndihmojë në atë xhami, duke i këshilluar blerësit apo ndërtuesit e saj të pendohen tek Allahu (azzevexhel) nga ky mëkat i madh.  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...