A lejohet që nusja e re t’ua merr dorën grave?

White Question Mark Against the Wall of a Room, 3D Render

Pyetje: Es Selamu Alejkum. Deshta të di se a lejohet që nusja tua mer dorën grave. All-llahu i Lartësuar ju shpërbleftë me begatitë më të mëdha në këtë botë dhe në botën e ardhshme.

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nusja e re e cila kalon prej shtëpisë së saj në shtëpi të burrit është mysafire në atë shtëpi dhe mysafiri duhet të respektohet nga anëtarët e shtëpisë, e jo të obligohet mysafiri t’i respektojë ata që janë në shtëpi të tyre. Kështuqë së pari nusja e re duhet të respektohet dhe sikur të kishe qenë e pëlqyer marrja e dorës, do të ishte pëlqyer që gratë tjera t’ia marrin dorën asaj, pasiqë ajo është mysafire dhe e re në mesin e familjarëve të burrit. Por, megjithatë marrja e dorës nuk është e pëlqyer dhe lënia e kësaj tradite është më e mirë, ngase kjo nuk ka bazë në Dinin e pastër islam dhe sikur të kishte qenë respekt marrja e dorës së ndonjërit, do t’ia kishin marrur dorën sahabet Pejgamberit (salallahualejhiveselem).

Por, ajo që është praktikuar nga sahabet ndaj Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) është puthja e dorës së tij. Kjo është praktikuar edhe nga selefi, në shenjë respekti ndaj dijetarëve dhe njerëzve të devotshëm. Dhe kjo është e lejuar edhe për të tjerët nëse plotësohen këto kushte:

-Atij që i puthet dora, të jetë prej dijetarëve apo prej të devotshmëve,
-Mos të kërkojë vetë ai që të tjerët të puthin dorën e tij,
-Mos të bëhet puthja e dorës në shenjë nënshtrimi dhe përulje ndaj tij,
-Dhe mos të bëhet vazhdimisht, ngase prej sunetit sunetit është përshëndetja për dore.

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Puthja e dorës në shenjë respekti, ndaj atyre që meritojnë respekt të veçantë, si prindi, plaku i vjetër, mësuesi etj. nuk ka ndonjë të keqe në këtë, nëse nuk rrjedh nga ajo ndonjë dëm, si pëlqimi i vetes nga ai që i puthet dora, apo mendimi i tij se ai kështu është në një pozitë të lartë. Nëse është kështu, atëherë ndalohet veprimi i saj. (Fetava Babul Meftuh 177).

Kështuqë nëse marrjen e dorës e krahasojmë me puthjen e saj, atëherë mund të themi se lejohet nëse plotësohen kushtet e lartpërmendura. Edhepse në raste që mund t’i iket asaj, lënia e saj është më e mirë.

Ndërsa përulja që bëhet prej disa grave (nuseve të reja) gjatë marrjes së dorës është e ndaluar, ngase përulja i takon vetëm Allahut (azzevexhel).

Thotë Komisioni i përhershëm për fetva: Nuk lejohet që muslimani ta ulë kokën e tij gjatë përshëndetjes, qoftë kjo ndaj muslimanit apo jomuslimanit, ngase kjo është prej veprimeve të të huajve ndaj të mëdhenjve të tyre, dhe kjo i përngjanë rukusë, e rukuja është përshëndetje dhe madhërim që i takon vetëm Allahut (azzevexhel). (Fetava 6779)

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...