A lejohet leximi i Kur’anit apo hyrja në xhami duke qenë i papastër?

Pyetje: A lejohet leximi i Kur’anit apo prezentimi në derse, apo diqka të ngjajshme, duke qenë xhunub (i papastër)?

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Vëlla i dashur, sa i përket leximit të Kur’anit duke qenë njeriu i papastër, dijetarët janë ndarë në dy mendime:

1-Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk lejohet prekja e Kur’anit duke qenë i papastër, duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Atë nuk e prekë askush përveç të pastërtit”. (El-Vakiah – 79). Si dhe duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) i cili thotë: “Mos ta prekë Kur’anin përveçse ai që është i pastër”.

2-Disa nga dijetarët janë të mendimit se lejohet leximi i Kur’anit edhe duke qenë i papastër, duke u bazuar në hadithin e Aishes (radijallahu anha) e cila thotë: “Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) e përmendte Allahun në çfarëdo gjendje”. (Transmeton Muslimi) Si dhe në hadithin tjetër, ku Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) i tha Aishes (radijallahu anha) duke qenë ajo me hajd (menstruacione): “Vepro atë që vepron haxhiu, vetëm mos e bën tavafin rreth Qabes”. (Transmeton Buhariu) E dihet që haxhiu e përmend Allahun dhe lexon Kur’an, e këtë nuk ia ndaloi Pejgamberi (salallahu alejhi veselem).

Ndërsa sa i përket ajetit me të cilin argumentohen shumica e dijetarëve, për ndalimin e prekjes së Kur’anit duke qenë njeriu i papastër, dijetarët e këtij mendimi kanë thënë se fjala në këtë ajet nuk është për Kur’anin, por për librin i cili është në qiell dhe quhet Leuhi Mahfudh dhe këtë nuk e prekë askush përveç atyre që janë të pastër, e të pastërtit janë: Melaiket.

Dhe për hadithin e lartpërmendur i cili ndalon prekjen e Kur’anit duke qenë i papastër, dijetarët kanë thënë se ky hadith është i dobët. (Ndërsa Shejh Albani këtë hadith e ka cilësuar si të vërtetë). Por, edhe sikur të llogaritet hadithi i vërtetë, nënkupton se nuk lejohet ta prekin Kur’anin idhujtarët dhe papastërtia në këtë hadith nënkupton papastërtinë e shirkut, e jo papastërtinë trupore.

Thotë Muhadithi Sulejman El-Ulvan: Të gjitha hadithet që flasin për ndalimin e leximit të Kur’anit nga njeriu që është i papastër, të gjitha janë hadithe të dobëta.

Kështuqë përfundimisht mendoj se nuk ka argumente të mjaftueshme për ndalimin e leximit apo prekjes së Kur’anit nga ai që është i papastër, apo gruaja e cila është me hajd apo nifas.

Ndërsa sa i përket prezentimit në derse, nëse ato mbahen në xhami, dijetarët gjithashtu janë ndarë në dy mendime:

Sipas dijetarëve të katër medhhebeve, është e ndaluar të hyjë në xhami ai që është i papastër, apo ajo e cila është me menstruacione. Dhe këtë duke u bazuar në disa argumente. Prej tyre:

-Thotë Allahu (azzevexhel): “O ju që keni besuar, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, deri sa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhunubë (të papastër) derisa të pastroheni..” (Nisa’ – 43) E qëllimi i fjalës namaz në këtë ajet, nënkupton vendin ku falet namazi.

Ndërsa ata që e kanë lejuar hyrjen në xhami (si Ibn Hazmi dhe të tjerë) kanë thënë se ajeti e ka fjalën për faljen e namazit, e jo për vendin ku falet namazi.

-Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Unë nuk lejoj të hyjë në xhami ajo që është me hajd (menstruacione) dhe ai që është i papastër”. (Transmeton Ebu Davudi dhe Bejhekiu).

Ndërsa ata që e kanë lejuar hyrjen në xhami duke qenë njeriu në këtë gjendje, janë kundërpërgjigjur se ky hadith është hadith i dobët.

Gjithashtu ata që e kanë lejuar këtë, janë argumentuar me disa argumente. Prej tyre:

-Transmetohet nga Ebu Hurejra (radijallahuanhu) se njerëzit e varfër (të cilët quhen EhluSufeh) në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) kanë jetuar në xhami. (Transmeton Buhariu dhe Tirmidhiu). Kështuqë nënkupton se ka pasur raste kur ata kanë qenë të papastër, por megjithatë nuk janë urdhëruar të dalin prej xhamie.

-Transmeton Aishja (radijallahuanha) se: “Një grua e quajtur Velidete Seuda’ ishte nga një fis arab, të cilët e liruan atë, e ajo erdhi te Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) dhe e pranoi Islamin. E pastaj, banonte në xhami”. (Transmeton Buhariu) E duke e ditur se gratë kanë kohën e caktuar të menstruacioneve, kjo grua nuk u urdhërua të del prej xhamie edhe gjatë asaj kohe. E që nënkupton se lejohet qëndrimi në xhami edhe duke qenë me hajd.

-Është vërtetuar gjithashtu se: “Ibn Omeri (radijallahuanhu) flente në xhami, duke qenë ai i ri dhe pa familje (i pamartuar)”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

-Gjithashtu është vërtetuar se Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) kishte futur në xhami idhujtarë dhe i kishte lidhur ata. E si mund të lejohet që idhujtari të hyjë në xhami, duke qenë i papastër me papastërtinë e shirkut, e të ndalohet muslimani i cili ka papastërti trupore?!

Kështuqë, duke pasur parasyshë argumentet e të dy palëve të dijetarëve, përfundimisht themi se lejohet hyrja në xhami për atë që është i papastër, apo për atë që është me menstruacione dhe se argumentet për të ndaluar një gjë të tillë nuk janë të mjaftueshme.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...