Muslimanë gjithmonë të jemi

Kudo që del kahdo që shkon,
sheh muslimanë në vendin tonë,
sa me gojë e sa me emër,
sa me punë e sa me zemër.

Sa u ka mbetë feja në xhami,
vetëm në xhuma e në teravi,
me një qelime e një mevlud,
mendon se feja mori fund.

Në zor e trishtim jemi muslimanë,
në festë e gëzim jemi evropianë,
nëse është feja si duam ne,
atëherë asaj s’i thuhet fe.

Nëse vdekja dikënd godet,
shkon ti vëlla në zijaret,
vërtetë fakti të habitë,
sa shumë muslimanë në këtë ditë.

Sa hoxhallarë e sa haxhi,
sa me kapuça e me tespi,
edhe gratë krejt me mbulesë,
vetëm dikush kur të vdesë.

Nga ana tjetër kur shikojmë,
ceremonitë si i kalojmë,
shohim veten nëpër festime,
nëpër dasma e kremtime,
a thua ku mbeti feja ime?

A thua ku mbetën ata muslimanë,
që ushton muzika në restoran,
burra gra bashkë në një vend,
Allahu më s’na bjen në mend.

Vallah Islami kështu nuk thotë,
nuk besohet kështu në Zot,
veç fatkeqësitë kur të na qëllojnë,
Zotin tonë ne ta kujtojmë.

Muslimanë gjithmonë të jemi,
Allahun frikë gjithmonë ta kemi,
çdo herë Atij t’i kthehemi,
jo vetëm në vështirësi kur jemi.

Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...