Xhelozia e mbrapshtë
Vëllezër të nderuar, në kohën e kontradiktave të çuditshme, njeriu është vështirë t’i kuptojë disa gjëra, të cilat i shikon me sytë e tij, dhe nuk është në gjendje t’i përthekojë logjika e tij. Por, megjithatë kontradiktat në mesin e njerëzve të cilët nuk i nënshtrohen Allahut janë të shumta. Prej këtyre kontradiktave, është edhe:
Xhelozia e kundërt e natyrshmërisë së njeriut.
Si? Është normale që muslimani të xhelozojë për familjen dhe nderin e tij. Dhe njeriu i cili nuk ka xhelozi quhet Dejuth. Njeri, të cilin Allahu as që do ta shikojë në Ditën e Gjykimit. Andaj edhe kërkohet që muslimani ta ruaj nderin e tij, dhe të mos lejojë që të merret nëpër këmbë familja e tij. Dhe nëse dikush e shikon bashkëshorten e tij, nënën apo vajzën e tij, prej tij kërkohet të xhelozojë dhe të mos e lejojë një gjë të tillë. E nëse dikush e prekë dorën e tyre, prej tij kërkohet xhelozi edhe më e madhe. Dhe sa më afër që të huajt të jenë pranë familjes së tij, xhelozia e tij duhet të jetë edhe më e madhe. Dhe kjo është prej natyrshmërisë së njeriut. Dhe njeriu atë që e don, edhe xhelozon për të.
Bile, nëse një njeri del në treg dhe nxjerr në shitje pemë a perime, dhe secili mushteri që kalon pranë tij, e prekë me dorë mallin e tij, ai fillon të hidhërohet dhe t’i prishet qejfi. E çka mbetet nëse dikush e shtrëngon dorën e bashkëshortes së tij? Të nënës apo vajzës së tij?!
Por, megjithatë në kohën e kontradiktave të çuditshme, një gjë e tillë nuk është edhe aq problematike. Saqë, ka prej njerëzve të cilët xhelozojnë për të kundërtën e kësaj. Si?
Jo që nuk xhelozojnë nëse ti ia jep dorën bashkëshortes së tyre , por ata xhelozojnë nëse ti nuk ia jep dorën asaj!! Dhe nëse ti nuk i flet për dore, ai xhelozon dhe është në gjendje edhe të hidhërohet. Subhanallah. Është e vështirë që njeriu ta kuptojë, por megjithatë ky realitet ekziston. Sa prej njerëzve, nëse gratë e familjes së tij ta zgjasin dorën ty, dhe ti nuk ia jep dorën asaj, ata hidhërohen? Shumë.. Vërtetë kontradiktë e çuditshme.
Kontradiktat e çuditshme (4)
Shkroi: Hoxhë Omer Bajrami
www.omerbajrami.com