Mjekra e Sunetit dhe mjekra e Baba Dimrit
Vëllezër të nderuar, në kohën e mashtrimeve të shumta, lakmive të mëdha pas kësaj bote dhe përngjasimit e pasimit të jomuslimanëve, njeriu vëren gjëra të çuditshme dhe kontradikta të ndryshme në mesin e muslimanëve.
Në këtë kohë, në prag të festës së vitit të ri, shumë njerëzve u qëndron para syve Baba Dimri. Në shumë reklama paraqitet Baba Dimri. Në shumë dhurata prezentohet Baba Dimri. Dhe shumë prej muslimanëve të cilët janë kundër mjekrës dhe “mjekroshave”, harrojnë që edhe Baba Dimri është me mjekër.
E duan atë, e lavdërojnë atë, fotografohen me të, bile i mashtrojnë edhe fëmijët me të, ngase sipas tyre, mjekra e Baba Dimrit simbolizon dashuri, dhurata, paqë dhe mirësi.
Ndërsa në të kundërtën, e urrejnë mjekrën e Sunetit, i urrejnë bartësit e saj dhe i kundërshtojnë ata. Ngase sipas tyre mjekra e të rinjëve të cilët pasojnë Sunetin e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) simbilozon terrorizëm, ekstremizëm, padrejtësi dhe egërsi.
Subhanallah! Kontradiktë e çuditshme. Në vend se për muslimanët, mjekra e Sunetit të simbolizojë mëshirë, dashuri vëllazërore, ndihmë ndaj njëri tjetrit, pasim i denjë i Pejgamberit të Allahut, shenjë e pjesëtarëve të Islamit, ajo konsiderohet ekstremizëm. Ndërsa mjekra e Baba Dimrit (Priftit), në vend se të simbolizojë mashtrim me dhurata, devijim dhe humbje, ajo konsiderohet mirësi dhe paqë.
Kështu njerëzit bien në kontradikta të çuditshme, kur lënë pas shpine Kur’anin dhe Sunetin dhe vrapojnë pas idhujtarëve dhe jomuslimanëve, duke i imituar dhe pasuar ata dhe duke harruar mirësinë dhe realitetin e Islamit.
Hoxhë Omer Bajrami