A duhet të kompenzohet dita e prishur e agjërimit nafile?

Pyetje: Selam alejkum. A ka ndonje pasoje nese fillohet nje dite me agjerim vullnetar mirepo nderpritet pa ndonje arsye? A duhet qe ajo dite te kompenzohet? Ju faleminderit.

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nëse njeriu e fillon ditën me agjërim nafile, është e pëlqyer që ta vazhdojë atë deri në iftar. Por nëse dëshiron që ta prishë atë, e ka të lejuar dhe për këtë ditë nuk e ka të obliguar kompenzimin. Ky është mendimi i Imam Shafiut dhe Imam Ahmedit, duke u bazuar në hadithin në të cilin thotë Aisheja (radijallahu anha): “…Pasi erdhi Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thash: O i Dërguar i Allahut, na kanë sjellur neve hedije dhe e kam ruajtur atë për ty. Tha: Ç’është ajo? Tha: Hajs (lloj i hurmave të cilat i pëlqente Pejgamberi salallahu alejhiveselem). Tha: Sjelli ato. E pastaj ngrëni prej tyre dhe tha: Unë kam qenë agjërueshëm”. (Transmeton Muslimi)

Gjithashtu, pasi Ebu Derda’ e prishi agjërimin e tij nafile, për të ngrënë së bashku me vëllaun e tij (me të cilin e vëllazëroi Pejgamberi salallahu alejhiveselem) Selman El-Farisiun, i treguan Pejgamberit (salallahu alejhi veselem) dhe ai nuk e urdhëroi atë për kompenzimin e ditës së prishur. (Transmeton Buhariu)

Ndërsa sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes dhe Imam Malikut, kompenzimi i ditës së prishur të agjërimit nafile, është obligim. Duke u bazuar në hadithin në të cilin Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) e urdhëroi Aishen dhe Hafsën që ta kompenzojnë ditën e prishur të agjërimit nafile, duke thënë: “Agjërojeni për këtë, një ditë tjetër pas kësaj”. (Transmeton Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ahmedi) Porse ky hadith është hadith i dobët.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...