A duhet të agjërojmë në ditën e Regaibit?
Pyetje: Esselamu alejkum hoxhe i nderuar, deshta te dij a duhet te agjerohet neser qe eshte dita e regaibit, deshta te dij a e ka praktikuar Pejgamberi alejhi selam agjerimin e kesaj dite? Me duhet pergjigje e shpejte.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa i përket ditës së ashtuquajtur Dita e Regaibit, një ditë e tillë nuk ekziston në argumentet e Kur’anit dhe Sunetit. Dhe agjërimi i kësaj dite nuk ka ndonjë bazë në Islam, andaj edhe veçimi i kësaj dite me agjërim është prej risive në fenë e Allahut.
Gjithashtu namazi i caktuar i kësaj dite, i cili quhet namazi i Regaibit, nuk ka bazë në argumentet e sheriatit dhe e gjithë kjo është bazuar në një hadith të shpifur dhe të rrejshëm, në të cilin thuhet:
”Kush e agjëron ditën e Enjte (të Enjten e parë të muajit Rexheb) dhe pastaj i falë pas namazit të jacisë (në natën e xhuma) dymbëdhjetë rekatë, duke lexuar në çdo rekatë suren Fatiha një herë, Inna enzelnahu fi lejletil kadr tri herë dhe kul huvallahu ehad dymbëdhjetë herë, duke i ndarë ato në çdo dy rekatë me selam dhe pasi të përfundojë namazin dërgon salavat mbi mua shtatëdhjetë herë … dhe pastaj kërkon prej Allahut nevojën dhe dëshirën e tij, ajo i plotësohet atij”.. Dhe tha Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, nuk ka ndonjë rob apo robëreshë e cila e falë këtë namaz, përveçse Allahu ia falë të gjitha mëkatet, qofshin ato edhe sa shkuma e detit, sa numri i rërës, sa pesha e kodrave apo sa gjethet e drunjëve dhe ia mundëson të ndërmjetësojë në Ditën e Gjykimit për shtatëqind vetë nga familja e tij, të cilëve iu është bërë obligim zjarri”. (Ihja’ Ulumu Din 1/202)
Thotë Imam Neveviu: Ajo (falja e namazit të Regaibit) është bidat i shëmtuar, gjë e rrefuzuar me rrefuzimin më të madh, e përfshirë me gabime, e cila duhet të mos veprohet dhe të kundërshtohet (ajo vepër) dhe të kundërshtohet vepruesi i saj. (Fetava Imam Nevevij/57)
Thotë Imam Nuhasi: Ajo është bidat dhe hadithi që flet për të është hadith i shpifur me pajtimin e gjithë dijetarëve të hadithit. (Tenbihul Gafilin/496)
Thotë Ibn Tejmijeh: Sa i përket namazit të Regaibit, ai nuk ka bazë, por është bidat dhe nuk preferohet falja e tij, me xhematë apo i vetëm, bile është vërtetuar në Sahihun e Muslimit se Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) ka ndaluar të veçohet nata e xhuma me namaz apo dita e xhuma me agjërim, ndërsa transmetimi në të cilin përmendet ai (namazi i Regaibit) është transmetim i rrejshëm dhe i shpifur me pajtimin e gjithë dijetarëve dhe këtë (namaz) nuk e ka përmendur askush prej selefit dhe dijetarëve fare. (Fetava Ibn Tejmijeh 23/132)
Andaj, agjërimi i ditës së Regaibit apo falja e namazit të caktuar të kësaj dite, është risi në fenë e Allahut, e cila nuk duhet praktikuar.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami