Mos prit të mësosh fenë nga portalet!
Vëllezër dhe motra, jemi dëshmitar të zhurmës së madhe e cila shkaktohet kohëve të fundit nga portale të ndryshime kundër Islamit, ose kundër disa mësimeve islame, ku cak i këtyre sulmeve janë hoxhallarët.
Është më se e qartë se njerëzit e tillë nuk e kanë guximin të thonë haptas se janë kundër Islamit dhe mësimeve të tij, andaj dhe kanë zgjedhur rrugën indirekte për të kundërshtuar Islamin me akuzimet dhe shpifjet ndaj hoxhallarëve.
Nuk është asgjë për t’u habitur me të tillët, ngase akuzuesit kanë qenë të tillë gjatë gjithë historisë, janë dhe do të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre. Mirëpo është për t’u habitur me besimtarët të cilët u besojnë mashtrimeve dhe ndryshimeve të fjalëve të hoxhallarëve, ose habiten me disa vendime të pastërta islame.
Nuk duhet të presë besimtari apo besimtarja, që nga portalet e ndryshme të mësojë se nuk i lejohet zhveshja dhe lakuriqësia para njerëzve të tjerë, e as që nuk i lejohet heqja e vetullave, e as shumë gjëra tjera me të cilat mund të habitet një ditë. E pastaj të thotë siç ishte thënë në disa komente: Edhe unë jam muslimane, por Islami nuk e ndalon heqjen e vetullave, etj.
Besimtari dhe besimtarja duhet t’i kthehet mësimit të fesë nga bazat e saj. Të lexojë Kur’anin dhe hadithet e të Dërguarit. Të lexojë librat e dobishme islame. Të ketë interesim më serioz në mësimin e fesë së saj. Të dëgjojë hoxhallarët dhe të ketë besim dhe rrespekt ndaj tyre. Të mos bie pre e manipulimeve dhe dezinformatave që bëhen kundër Islamit apo thirrësve të tij.
E nëse jo, atëherë do të vazhdojë loja e njëjtë për një kohë të gjatë me një popull të tërë, duke u akuzuar dhe kundërshtuar ndërmjet vete për çështje dhe tema që hapen nga të tjerët, për qëllime të ulëta pëlqimesh e klikimesh, apo për qëllime të futjes së urrejtjes dhe kundërshtimeve ndaj njëri tjetrit.
Andaj, kundërshtimi më i mirë ndaj tyre është injorimi i tyre, praktimi i dispozitave të fesë dhe afrimi me njëri tjetrin.
Hoxhë Omer Bajrami