A bëhet e papastër tesha në të cilën ka prekur sperma?

Pyetje: A behet e papaster tesha te cilen e prek sperma dhe a mund te falemi me ate teshe qe e ka prekur sperma? Si cka e konsideron Islami spermën?  

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Sa i përket pastërtisë së spermës, dijetarët janë ndarë në dy mendime:  

1- Imam Ebu Hanifeja, Imam Maliku dhe Imam Ahmedi në një transmetim, janë të mendimit se sperma është e papastër, duke u bazuar në hadithin e Aishes (radijallahuanha) e cila u pyet për teshën në të cilën ka prekur sperma dhe ajo tha: “E kam pastruar atë (spermën) prej teshës së Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) dhe me të ai dilte për në namaz, e u vërente shenja e pastrimit në të”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi) E nuk bëhet pastrimi përveçse prej ndonjë gjëje të papastër.  

2-Ndërsa Imam Shafiu, Imam Davudi dhe Imam Ahmedi në transmetimin më të saktë prej tij,  janë të mendimit se sperma është e pastër, duke u bazuar në hadithin e Aishes (radijallahuanha) e cila në lidhje me teshën në të cilën ka prekur sperma  thotë: “E fërkoja teshën e Pejgamberit (salallahu alejhi veselem), e pastaj ai falej me të”. (Transmeton Muslimi) E mjaftimi i saj vetëm me fërkim të teshës duke mos e larë dhe pastruar atë, tregon pastërtinë e saj.   

Imam Neveviu në komentin e hadithit të lartpërmendur thotë: Shumë prej dijetarëve kanë anuar kah mendimi se sperma është e pastër. Dhe ky mendim është transmetuar nga Ali ibn Ebi Talibi, Sead ibn Ebi Vekasi, Ibni Omeri, Aisheja, Davudi, Imam Ahmedi në transmetimin më të saktë dhe ky është medhhebi i Imam Shafiut dhe i dijetarëve të hadithit. (Sherh Muslim 3/198)  

E dijetarët e mendimit të parë në lidhje me këtë thonë: Se fërkimi i teshës nga ana e Aishes nuk nënkupton pastërtinë e spermës, por nënkupton mënyrën e pastrimit të teshës prej saj.  

Ndërsa Shejhul Islam Ibn Tejmijeh si kundërpërgjigje ndaj këtij mendimi thotë: Fërkimi i teshës (në të cilën ka prekur sperma) nga ana e Aishes njëherë dhe pastrimi i saj (teshës)  në herën tjetër nuk tregon papastërtinë e spermës, ngase tesha mund të pastrohet edhe nga këlbaza apo pështyma dhe kështu ka thënë më shumë se një prej sahabeve, si Sead ibn Ebi Vekasi, Abdullah ibn Abasi dhe të tjerë. (Fetava – 21/605)  

Dhe ajo që e përforcon më së shumti mendimin se sperma është e pastër është se: Sperma ka prekur edhe teshat e sahabeve në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) dhe sikur të kishte qenë ajo e papastër, atëherë do t’i kishte njoftuar Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) dhe do t’i kishte urdhëruar t’i pastrojnë teshat e tyre prej saj.. e përderisa nuk është transmetuar një gjë e tillë prej sahabeve, atëherë edhe nënkuptohet se pastrimi i teshave prej saj nuk është i obliguar. (Fetava 21/604)   

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Sperma është e pastër dhe nuk obligohet pastrimi i teshës në të cilën ka prekur ajo. (Fetava Ibn Uthejmin 11/169)  

Kështuqë përfundimisht themi se mendimi më i saktë është se sperma është e pastër dhe nuk obligohet pastrimi i teshave në të cilën ka prekur ajo, vetëm nëse bëhet pastrimi nga vetdëshira e njeriut për të larguar shenjat e saj në tesha.   Dobi: Për të mos u keqkuptuar ndonjë gjë, duhet të përmendim se:  

-Sperma (El-Menij) – Është lëng i trashë dhe me erë, i cili del me vrull dhe për shkak të epshit. Është i pastër dhe njeriu pas daljes së atij (lëngu) obligohet të merr gusël për ta falur namazin, ndërsa pastrimi i teshave prej tij nuk është i obliguar.  

-Parasperma (El-Medhju) – Është lëng i lehtë i cili nuk e ka erën e spermës dhe i cili nuk del me vrull sikurse sperma, por del kur njeriu mendon, shikon apo dëshiron ndonjë gjë prej epshit të tij. Nuk vërehet gjatë daljes së tij. Është lëng i papastër dhe pas daljes së tij njeriu obligohet të merr abdes për ta falur namazin, duke mos pasur nevojë të merr gusël. Si dhe obligohet të pastron teshën e tij, duke përshkuar me dorë të lagur atë dhe organin e tij dhe duke mos pasur nevojë të lajë dhe të fërkojë teshën në të cilën ka prekur ai.  

-Lëngu pas urinës (El-Vedju) – Është lëng i bardhë dhe i trashë i cili del në fund apo pas urinës. Është lëng i papastër dhe pas daljes së tij, njeriu obligohet të merr abdes për ta falur namazin dhe nuk obligohet të merr gusël. Vendimi i Islamit për të, është sikur vendimi mbi paraspermën.  

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami  

You may also like...