A duhet përsëritur gusli, nëse pas tij rrjedh ende spermë?
Pyetje: Esselamu alejkum we rahmetullah. Nese pas guslit ka ende rrjedhje te spermes se burrit nga organi i femres, a duhet perseritur gusli edhe njehere? Allahu ju shperblefte per kontributin tuaj.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Gusli është i obliguar në atë rast që sperma rrjedh me vrull dhe me kënaqësi.
E nëse pas guslit, prej njeriut (burrit apo gruas) rrjedh spermë e cila ka mbetur prej më herët, duke mos ndjerë gjatë rrjedhjes së saj kënaqësi, gusli nuk ka nevojë që të përsëritet, vetëmse duhet që të merret abdes.
Transmeton Seidi se Abdullah ibn Abasi, pas pyetjes: Si duhet të veprojë njeriu nëse pasi të merr gusël, prej tij rrjedh ndonjë gjë? thotë: Mjafton për të që të merr abdes. (El-Insaf 1/232)
Thotë Imam Ahmedi: (Mjafton që njeriu një herë të merr gusël ngase) Kënaqësia është e kaluar dhe mendoj se i mjafton atij vetëm një abdes. (El-Insaf 1/232)
Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Nëse njeriu merr gusël për shkak të asaj që ka kaluar, e pastaj rrjedh prej tij ndonjë gjë, nuk ka nevojë që ta përsëritë guslin edhe njëherë. Dhe argumenti për këtë është se: Shkaku i guslit është një dhe nuk mund të obligohet gusli dy herë për një shkak dhe se rrjedhja e saj (spermës) bëhet pa kënaqësi dhe gusli nuk obligohet përveç nëse rrjedh sperma me kënaqësi. Por, nëse rrjedh spermë tjetër, për shkak të ndonjë kënaqësie tjetër, atëherë obligohet gusli edhe një herë, ngase edhe shkaku është tjetër. (Sherhul Mumti’ 1/281)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami