A lejohet kthyerja e selamit duke qenë në namaz?

Pyetje: Esselamu alejkum hoxhe i nderuar. Deshta te di se a ka ndonje argument perderisa jemi ne namaz dhe dikush jep selam duke mos e ditur se jemi ne namaz, a duhet te ia kthejme selamin? Sepse kam degjuar qe mund te ia kthejme selamin me ate te levizjes se dores, mirepo nese ka mundesi me e sqaru, Allahu te shperblefte me Xhennet inshAllah.
Përgjigje:
Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nuk lejohet kthyerja e selamit me fjalë, por lejohet kthyerja e tij me shenjë.
Transmetohet nga Ibn Omeri (radijallahuanhu) i cili thotë: “Doli Pejgamberi (salallahualejhiveselem) për në Kuba, që të falet në të. Pastaj erdhën ensarët dhe i dhanë selam atij, ndërsa ai ishte duke u falur. I thashë Bilalit (radijallahuanhu): Si e ke parë Pejgamberin (salallahualejhiveselem) duke ua kthyer selamin atyre, kur ata i jepnin selam ndërsa ai ishte duke u falur? Tha: Kështu, dhe e shtriu dorën e tij (duke lënë pjesën e poshtme poshtë, dhe pjesën e sipërme mbi – sikur e kundërta e shtrirjes së dorës së lypësit). (Transmeton Ebu Davudi me zinxhirë të vërtetë)
Këshillë: Allahu ju shpërbleftë për lutjen tuaj dhe Allahu e pranoftë atë. Porse një këshillë për ju dhe për të tjerët: Nuk lejohet që në lutje të shtohet fjala InshAllah, por mjafton të thuhet: Allahu të shpërbleftë, duke mos ia shtuar fjalën inshAllah fare, ngase Pejgamberi (salallahualejhiveselem) thotë: “Nëse dikush prej jush lutet, le të jetë i vendosur në lutjen e tij dhe mos të thotë: O Zot më jep nëse don Ti, ngase për Allahun nuk ka imponues”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami