A lejohet ndërrimi i mbiemrit pas martese?

Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. A ka lidhje ndonje gje me Islam nese e nderron mbiemrin kur te shkosh te burri, apo duhet ta mbajme mbiemrin qe e kemi pas kur kemi qene te babai? Selam alejkum. Allahu ju shperblefte hoxhe i nderuar.  

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.  

Ndërrimi i mbiemrit pas martesës apo para saj, për meshkujt dhe për femrat është i lejuar dhe nuk ka ndonjë ndalesë për këtë.   

Atë të cilën e kanë ndaluar dijetarët kur kanë folur në lidhje me këtë çështje, është ndërrimi i emrit të prindit dhe gjyshit (pas martesës apo para saj) dhe kjo është e ndaluar. Dhe kjo më shumë ka të bëjë me tokat arabe, në të cilat njerëzit nuk kanë mbiemër sikur në vendet tona, por pas emrit të tyre vazhdon emri i prindit, gjyshit dhe kështu me rradhë. Kështuqë, nëse një person quhet: Ahmed ibn Zejd ibn Amër, nuk lejohet që bashkëshortja e tij pas martese të merr emrat e paraardhësve të tij dhe të thirret: Aisheh bint (bija e) Zejd ibn Amër, ngase këta nuk janë prindërit e saj.   

Thotë Allahu (azzevexhel): “Ju thirrni ata në baballarët e vërtetë të tyre, kjo është më e drejtë tek Allahu.” (Ahzab – 5) Gjithashtu Muhamedi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Prej shpifjeve më të mëdha është të thirret dikush në emër të atij që nuk e ka babë..”. (Transmeton Buhariu) Gjithashtu thotë: “Kush thirret në emër të atij që nuk e ka babë, duke e ditur se nuk e ka babë, Xheneti për të është haram – i ndaluar”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)  

Kështuqë, përderisa mbiemri nuk e luan këtë rol, nuk mund të merr edhe gjykimin e njëjtë me këtë. Andaj, themi se lejohet ndërrimi i mbiemrit dhe nuk ka ndonjë ndalesë në këtë.  

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

You may also like...